Thursday, February 17, 2011

Horoskopi Vjetor-Gaforrja

Çelësi për të hyrë me shumë sukses në vitin që po vjen, duhet të jetë fjala "liri". Pra, duhet të lini pas çdo kushtëzim të çdo lloj forme që ju i vinit vetes deri më sot. Kjo është e lehtë për t'u thënë, por shumë e vështirë për t'u realizuar, sepse ju jeni aq shumë i lidhur me kujtimet e së shkuarës, saqë nuk shihni përpara, por ecni me kokën pas. Në disa raste ju nuk do të arrini ta bëni këtë revolucion në jetën tuaj, duke u çliruar nga kushtëzimet e së shkuarës dhe duke parë vetëm para, por të paktën mund të hidhni bazat për të ardhmen tuaj. Megjithatë, e rëndësishme do të jetë sa të hidhni hapin e parë, për t'i dhënë vetes suaj besimin dhe kthjelltësinë e duhur për të vlerësuar sa më mirë çdo rrethanë. Gjithsesi, pjesa e parë e vitit 2011 do të jetë shumë e lodhshme për ju, por në pjesën e dytë do të shikoni të realizohen projektet dhe ëndrrat tuaja.
Kalimi i Jupiterit në shenjën tuaj gjatë muajve të parë të vitit do t'ju shtyjë të bëni disa zgjedhje të rëndësishme në sektorin e karrierës. Do t'ju duhet të bëni një "pastrim të përgjithshëm" në këtë sektor për të qëndruar vetëm. Frytet e punës që do të zhvilloni nuk do t'i shihni menjëherë, madje duhet të prisni verën për të parë ndonjë rezultat fitimprurës. I vetëm apo me ndihmën e miqve apo të personave të besueshëm, do të arrini shumë si në planin moral, ashtu edhe në atë ekonomik.
Nëse keni lindur në ditët e para të korrikut, do të duhet të përballeni me ndikimin e egër të Saturnit në shenjën tuaj. Ka shumë mundësi që të vendosni të ndryshoni shtëpi apo të bëni rregullime të njëfarë kostoje në banesën tuaj apo edhe të blini një shtëpi të re. Por kini kujdes, sepse të gjitha këto ndryshime do të jenë të kushtueshme, kështu që planifikojini mirë shpenzimet, në mënyrë që të mos sillni shqetësime në jetën tuaj familjare.
Nëse keni lindur në ditët e para të shenjës së Gaforres, do të keni kundër planetin Uran, i cili do të përpiqet të rregulloj më mirë jetën tuaj profesionale, në veçanti nëse po synoni të ngjisni shkallët e karrierës. Por kundërshtimi i Uranit do t'ju bëjë më të fortë dhe ju do të arrini ta mposhtni.
Plutoni do të ketë gjithashtu ndikim negativ kundër jush gjatë fundit të muajit qershor. Disa situata jo aq të këndshme mund të sjellin destabilitet në familjen tuaj. Gjithsesi do të arrini të mbani ekuilibrat e duhur pa shumë sforcime në punë, shoqëri dhe në familje.
Për të lindurit në periudhën e parë të shenjës së Gaforres (nga 22 qershor deri më 1 korrik), do të jetë një vit i ndarë më dysh. Deri në mesin e muajit maj do të ndjeni peshën e detyrave të rënda si në jetën private, gjithashtu edhe në atë profesionale. Por me ardhjen e verës do të përjetoni gëzimin e të jetuarit dhe projekteve afatgjata për të ardhmen tuaj.
Të lindurit në periudhën e dytë (nga 2 deri më 12 korrik) do të kalojnë një periudhë mjaft komplekse dhe tepër të ngarkuar me punë. Gjatë kësaj kohe do t'u përkushtoheni më shumë rregullimeve në shtëpi dhe familjes suaj. Do të jetë një periudhë vërtet e lodhshme, por jashtëzakonisht shumë produktive. Përpara fundit të vitit do të hidhni prapa mendimet negative dhe do të riktheheni t'i buzëqeshni jetës.
Të lindurit në periudhën e tretë (nga 13 deri 22 korrik) do të jenë edhe më të privilegjuarit. Ata i presin më pak probleme. Do të mësojnë shumë gjëra të reja nga ngjarjet që do të përjetojnë, nga të cilat do të nxjerrin mësimet e duhura. Por me ardhjen e verës nuk do e vrasin mendjen për asgjë, përveçse të pushojnë.
Objektivat e vitit: Rrisni vlerësimin për veten tuaj dhe kini më shumë besim te vetvetja.

No comments:

Post a Comment